Përpjekje deri në momentin e fundit për konstituimin e Kuvendit – Seanca e 53-të mbahet nesër në orën 14:00

Në ditën e fundit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është thirrur seanca e 53-të, e cila do të mbahet nesër (e premte) me fillim nga ora 14:00.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar si hap pozitiv thirrjen e kësaj seance, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme deri në çastin e fundit për të evituar pasoja të mundshme juridike dhe institucionale.
“Është pozitive që ai e thirri vazhdimin e 53-të për nesër, për në ora 14:00. Nëse dështon edhe në ora 14:00, pozitive do të ishte që të mblidhen edhe në ora 18:00,” deklaroi Naim Jakaj nga IKD.
Sipas tij, çdo përpjekje për konstituimin e Kuvendit është e domosdoshme për të shmangur një vendim të mundshëm nga Gjykata Kushtetuese që, siç tha ai, “mund të prodhojë ndonjë pasojë e cila nuk do të ishte e favorshme për asnjë parti dhe për asnjë deputet të Kuvendit të Kosovës.”
Afati i përcaktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit përfundon të premten më 26 korrik, ndërsa dështimi i radhës mund të thellojë edhe më tej krizën institucionale në vend.