Kosova

Krasniqi për masën e Kushtetueses: Nuk e kërkuam ne, por vendimet e gjykatës duhet të zbatohen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur një masë të përkohshme që pezullon punën e deputetëve nga data 27 korrik – kur përfundon afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit – deri më 8 gusht.

Krasniqi sqaroi se kjo masë nuk është kërkuar nga PDK-ja, por theksoi se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme për t’u zbatuar.

“Masë që e ka caktuar gjykata. Ne s’e kemi kërkuar atë masë, por është në të drejtën e tyre dhe unë po besoj që ka një arsye që s’mund ta paragjykoj unë. Cila mund të jetë arsyeja është ndoshta diçka që mund ta kuptojmë kur të publikohet aktgjykimi final”, tha ai.

Kryetari i PDK-së përsëriti qëndrimin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë “tavolinë suedeze” nga ku zgjedh çfarë të zbatohet.

“Ne e kemi thënë gjithmonë se vendimet e Kushtetuese s’janë tavolinë suedeze. Jemi të obliguar që t’i zbatojmë dhe ajo që tashmë po dihet është se kanë mbetur më pak se 48 orë për ta konstituuar Kuvendin bazuar në aktgjykimin e kaluar”, theksoi ai.

Krasniqi konfirmoi se janë në pritje të aktgjykimit final të Kushtetueses në lidhje me rastin që vetë partia e tij e ka dorëzuar, i cili pritet të qartësojë hapat e ardhshëm për tejkalimin e bllokadës institucionale.

“Dëshira jonë ka qenë që të ketë një aktgjykim të publikuar para se të skadojë afati, në mënyrë që ta kenë të qartë edhe deputetët se cilat janë pasojat, por po presim”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button