Kosova

Murati: Vetëvendosje ka ofruar marrëveshje dhe kompromise, tash është radha e Nismës të lëvizë përpara

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka deklaruar se subjekti i tij ka bërë ofertat e nevojshme për të mundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përfshirë marrëveshje politike dhe kompromise konkrete, ndërsa tash pret që Nisma Socialdemokrate të ndërmarrë hapin e radhës.

“Ne kemi ofruar edhe marrëveshje politike, edhe kompromiset e nevojshme. Megjithatë, u takon edhe palëve të tjera që të bëjnë lëvizje përpara, sepse ne si fitues kemi bërë lëvizjet e nevojshme. Kemi bërë ofertën, por Nisma në këtë rast do të duhej të votonte”, tha Murati pas dështimit të 52’të për konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, oferta ndaj Nismës ka përfshirë edhe pjesëmarrje në qeverisje, në përputhje me kërkesat që kanë ardhur nga ky subjekt.

“Për Nismën Socialdemokrate kemi pasur ofertë politike edhe për qeverisje, ashtu siç është kërkuar ka qenë oferta”, theksoi ai.

Murati gjithashtu u bëri thirrje të gjitha partive dhe deputetëve që të votojnë për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se çdo votë pro është një hap drejt zgjidhjes së ngërçit politik.

“Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj sepse çdo votë ‘për’ na afron drejt qëllimit. Do të mjaftonte që secili deputet e subjekt ta kryejë obligimin kushtetues që të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit”, përfundoi Murati.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button