Kosova nën kërcënimin e spiunazhit: Rriten rastet e infiltrimit nga shërbimet sekrete serbe

Kosova po përballet me një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare nga aktivitetet e spiunazhit, që lidhen drejtpërdrejt me shërbimet sekrete serbe. Arrestimet e fundit kanë rritur shqetësimet për përmasat e këtyre veprimeve dhe gatishmërinë e institucioneve për t’iu kundërvënë këtij rreziku.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, këto veprime synojnë të destabilizojnë rendin kushtetues dhe të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve. Prokurori Bekim Kodraliu theksoi për Radion Evropa e Lirë se institucionet janë të përgatitura për të ndërmarrë masa hetimore në çdo kohë.
“Prokuroria vepron në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë”, u shpreh ai, duke përmendur aktgjykimin e parë për spiunazh në Kosovë, ndaj ish-zyrtarit policor Aleksandar Vllajiq, i dënuar me pesë vjet burg për përfshirje në rrjetin e Agjencisë serbe të Inteligjencës – BIA.
Vetëm këtë muaj, edhe një zyrtar tjetër policor i Kosovës, Bojan Jevtiq, është dërguar në paraburgim nën dyshimet për spiunazh, duke e çuar numrin e të arrestuarve në gjashtë. Në mesin e të dyshuarve janë edhe Jellena Gjukanoviq, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.
Në pyetjen nëse Kosova është duke u përballur me një ofensivë të shërbimeve serbe, Policia e Kosovës nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha tha se “institucionet janë të përgatitura për çdo sfidë të mundshme.”
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se momenti aktual i pasigurisë politike mund të shfrytëzohet nga shërbimet e huaja për qëllime destabilizuese.
“Spiunazhi përpiqet të dëmtojë institucionet, ekonominë dhe të krijojë imazhin e një shteti të dështuar,” tha eksperti Valdet Hoxha. Edhe Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i AKI-së, e cilësoi Serbinë si burimin kryesor të destabilizimit përmes aktiviteteve të inteligjencës, sabotimeve dhe ndikimit në vendimmarrje.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi dënohet me së paku pesë vjet burgim.
Ndërkohë, institucionet kosovare sigurojnë se vendi është i përgatitur për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe strukturat e ngritura ligjore e operacionale.
Në Strategjinë e Sigurisë për vitet 2022-2027, Serbia përshkruhet si kërcënimi kryesor për sigurinë e Kosovës. Këtë e konfirmojnë edhe zhvillimet e fundit, përfshirë reagimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj arrestimeve në Kosovë, të cilat u konsideruan si “kërcënuese” nga udhëheqësit kosovarë.
Në shtator të vitit 2023, tensionet kulmuan me sulmin në Banjskë nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës – një ngjarje që autoritetet e cilësuan si sulm terrorist të orkestruar nga Serbia.
Ekspertët apelojnë për vigjilencë të vazhdueshme, përforcim të bashkërendimit institucional dhe harmonizim të kornizës ligjore për t’u përballur në mënyrë efektive me kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.