Kosova përfshihet nga vatrat e zjarrit – Zjarrfikësit apelojnë për kujdes dhe bashkëpunim nga qytetarët

Kosova po përballet me një situatë alarmante për shkak të shpërthimeve të shumta të zjarreve, të cilat po përhapen me shpejtësi në zona fushore dhe malore. Vetëm në komunën e Ferizajt, gjatë këtij muaji janë regjistruar rreth 200 raste zjarresh, ndërsa 90 për qind e tyre kanë ndodhur në hapësira të hapura, duke vënë në rrezik mjedisin dhe pronat private.
Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Ferizaj, Zymri Krasniqi, konfirmoi se pavarësisht numrit të madh të zjarreve, situata në komunë aktualisht është nën kontroll, falë ndërhyrjeve të shpejta dhe koordinimit të ekipeve emergjente. Ai bëri apel për vigjilencë të shtuar nga qytetarët.
“Gjendja në Ferizaj është e qetë, kemi vatra diku, por kemi marrë masat që të ruajmë jetën e njerëzve dhe pasurinë. Për fat të mirë, kemi arritur të mobilizohemi. Apeli ynë është që qytetarët të kenë kujdes, dhe në momentin që vërejnë edhe një tym të vogël, të raportojnë menjëherë,” deklaroi Krasniqi.
Ndërkohë, ish-komandanti i zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, theksoi se shkaktari kryesor i këtyre zjarreve është pakujdesia njerëzore, edhe pse temperaturat e larta luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e flakëve.
“Këto zjarre nuk mund t’i quaj të qëllimshme, por janë rezultat i pakujdesisë së qytetarëve. Ka raste kur edhe temperaturat ekstreme krijojnë kushte që mund të ndezin vetë zjarr. Sipas informatave nga kolegët, janë regjistruar deri në 1600 intervenime të ndryshme, përfshirë zjarre në fusha, male dhe banesa. Ne jemi të pakujdesshëm,” theksoi Zeka.
Zjarrfikësit apelojnë për ndërgjegjësim qytetar, veçanërisht gjatë valëve të nxehtësisë, dhe kërkojnë që çdo shenjë e rrezikut të raportohet menjëherë për të shmangur dëme të mëdha dhe rrezikimin e jetës.