Kryesore

Kuvendi i Kosovës drejt një epilogu? Sot përpjekja e 49-të për konstituim

Sot në orën 11:00, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për të 49-ën herë radhazi në përpjekje për t’u konstituuar, më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Seanca vjen në një moment kritik, teksa afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për përfundimin e procesit po afrohet – më 26 korrik.

Atmosfera këtë herë është ndryshe, për shkak të sinjaleve pozitive nga partia Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë fituese të zgjedhjeve. Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, deklaroi dje se pret një epilog pozitiv gjatë fundjavës, duke nënvizuar se partia e saj nuk ka hequr dorë nga kërkesa që Limaj të udhëheqë Kuvendin si kryetar.

“Nuk është e vërtetë që kemi hequr dorë nga pozita e kryeparlamentarit. Jemi në bisedime dhe presim që gjatë fundjavës të ketë një marrëveshje mes z. Limaj dhe z. Kurti,” tha Izmaku.

Aktualisht, Nisma ka tri ulëse në Kuvend dhe mund të jetë përcaktuese në arritjen e shumicës për konstituimin e institucioneve. Deri tani, përpjekjet për të zgjedhur Albulena Haxhiun e Vetëvendosjes si kryetare të Kuvendit kanë dështuar për shkak të mungesës së votave të nevojshme.

VV ka propozuar formimin e një komisioni për votim të fshehtë për të zgjidhur ngërçin, por kjo është refuzuar nga partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – të cilat nuk kanë propozuar anëtarët për këtë komision.

Përballë ngërçit institucional dhe protestave të qytetarëve para Parlamentit, presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në fillim të javës që vjen.

“Jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese. Nëse nuk ka marrëveshje gjatë fundjavës, do të veprojmë në fillim të javës, megjithatë nuk dihet sa kohë do t’i duhet Gjykatës për t’u përgjigjur,” deklaroi Osmani.

Sytë e opinionit publik dhe të partnerëve ndërkombëtarë janë sot nga Kuvendi i Kosovës, me shpresën se kjo përpjekje e 49-të do të shënojë fundin e bllokadës politike dhe fillimin e funksionimit të institucioneve të reja.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button