Temperatura përvëluese në Kosovë: Nga fundjava nis vala e të nxehtit ekstrem

Meteorologu Mendim Rugova ka paralajmëruar një rritje të ndjeshme të temperaturave në Kosovë, që do të shënojë hyrjen në një valë të re të të nxehtit ekstrem, duke filluar nga fundjava dhe sidomos nga fillimi i javës së ardhshme.
Sipas Rugovës, dita e premte do të sjellë shpërndarje të vransirave në orët e paradites, ndërsa më pas do të dominojnë intervalet me diell. Një erë e freskët nga veriu dhe verilindja me shpejtësi 5-10 m/s pritet ta bëjë motin disi më të lehtë. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 15°C, kurse ato maksimale do të ngjiten në 27-29°C.
Nga fundjava, moti do të bëhet më stabil dhe kryesisht me diell. Të shtunën dhe të dielën pritet rritje e ndjeshme e temperaturave, me vlera maksimale që do të kapin shifrat 34 deri në 36°C.
Ndërkohë, vala e të nxehtit do të intensifikohet ndjeshëm që nga e hëna. Temperaturat maksimale do të arrijnë vlera ekstreme, duke u ngjitur në 37-39°C, dhe në disa zona të izoluara mund të arrijnë deri në 40°C. Edhe temperaturat minimale do të jenë më të larta, duke u rritur nga 12°C në fundjavë në 18-20°C gjatë ditëve të javës së ardhshme.
Meteorologët u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të kujdesen për hidratimin, pasi këto temperatura paraqesin rrezik për shëndetin, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.