Dështimi i 48-të me radhë për konstituimin e Kuvendit – vazhdon bllokada institucionale

Për të 48-ën herë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e thelluar edhe më tej krizën institucionale që ka nisur që nga prilli.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e hodhi sërish në votim formimin e Komisionit për votim të fshehtë, por përkundër përpjekjeve, kjo iniciativë po mbështetet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa partitë tjera vazhdojnë ta kundërshtojnë.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm 100 deputetë, prej të cilëve 51 votuan për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Deputetët e subjekteve tjera politike, para se t’u ndalej mikrofoni nga kryesuesi, shfrytëzuan foltoren për të kundërshtuar mënyrën e votimit dhe qasjen e ndjekur nga Vetëvendosje.
Në të njëjtën kohë, edhe jashtë ndërtesës së Kuvendit pati aksione simbolike nga qytetarë dhe aktivistë, si reagim ndaj bllokadës së zgjatur institucionale.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar afatin përfundimtar për konstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik, por nuk ka dhënë sqarime se çfarë do të ndodhë nëse ky afat nuk respektohet.