Kosova
Kryesore

Ushtari i FSK-së braktis ushtrinë gjatë trajnimit në SHBA – nisin procedurat ligjore ndaj tij

Forca e Sigurisë së Kosovës ka konfirmuar se një prej ushtarëve që kishte shërbyer në Kazermën e Gjilanit dhe ishte dërguar në trajnim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka braktisur ushtrinë për të qëndruar tek të afërmit e tij atje.

Zëdhënësi i FSK-së, Vëllazërim Qerimi, ka deklaruar për Reporteri.net se pjesëtari në fjalë është larguar pa lejen e autoriteteve kompetente, duke theksuar se ndaj tij tashmë kanë filluar procedurat ligjore.

“Forca e Sigurisë së Kosovës ju njofton që pjesëtari në fjalë është larguar pa marrë leje nga autoritetet kompetente gjatë një trajnimi në SHBA. Gjithashtu ju njoftojmë që Forca e Sigurisë së Kosovës ka inicuar procedurat ligjore për pjesëtarin në fjalë konform akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi,” thuhet në përgjigjen e Qerimit.

Qerimi nuk ka dhënë detaje nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme.

Ushtari në fjalë ishte pjesë e kontingjentit prej 152 pjesëtarësh të FSK-së që kishin udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara në maj të këtij viti për të marrë pjesë në një nga trajnimet më të avancuara ushtarake në botë, “Joint Readiness Training Center (JRTC)”.

Në momentin e nisjes për këtë trajnim, ushtarët ishin përcjellë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila njëherësh është edhe Komandante Supreme e FSK-së.

“Me të arritur nga SHBA, i urova rrugë të mbarë e suksese kontingjentit prej 152 ushtarëve të FSK-së që po udhëtonin për SHBA për programin e trajnimit JRTC,” kishte shkruar Osmani në atë kohë.

Rasti ka ngritur shqetësime për përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së në misionet ndërkombëtare, ndërsa autoritetet pritet të ndërmarrin masa konkrete për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button