IKD: Qeveria aktuale me përpjekje të strukturuara për kapjen e administratës

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka ngritur shqetësime serioze mbi politizimin e administratës publike nga qeveria aktuale, duke e cilësuar qasjen e saj si përpjekje të strukturuar për kapjen e institucioneve shtetërore.
Në një intervistë për emisionin “Tempus”, Shala tha se ndryshe nga qeveritë paraprake, kjo qeveri ka pasur në shënjestër të veprimeve të saj sistemin e zyrtarëve publikë në tërësi, dhe jo vetëm individët e caktuar.
“Nëse i shohim të gjitha metodat që janë ndërmarrë deri më tani, krijohet përceptimi se kemi të bëjmë me veprime të strukturuara për kapjen e administratës,” deklaroi ai.
Shala theksoi se problemi i politizimit të administratës është evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare të viteve të kaluara për qeveritë e mëparshme, por me këtë qeveri fenomeni është thelluar përmes përdorimit të skajshëm të ushtruesve të detyrës në pozita kyçe.
“Pozita e ushtruesit të detyrës është një praktikë që bëhet përjashtimisht, por në këtë qeveri është kthyer në parim. Numri më i madh i pozitave janë plotësuar përkohësisht, gjë që bie ndesh me parimin e integritetit institucional,” tha Shala.
Sipas tij, një numër i konsiderueshëm i këtyre emërimeve janë të kundërligjshme dhe janë konstatuar si të tilla edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Ai shtoi se kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me ligjin, por është në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve dhe në jetën e qytetarëve.
IKD ka qenë vazhdimisht zë kritik ndaj mungesës së transparencës dhe integritetit në administratën publike, duke kërkuar reforma reale në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.