Kosova

Kurti dhe Limaj drejt marrëveshjes politike: Takimi i radhës këtë javë, vendim deri më 26 korrik

Albin Kurti dhe Fatmir Limaj pritet të takohen sërish këtë javë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund ngërçit të gjatë politik në Kuvendin e Kosovës. Takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atij të Nismës Socialdemokrate mund të rezultojë vendimtar për formimin e Qeverisë Kurti 3, në një moment kur afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po i afrohet fundit.

Burime nga të dyja partitë konfirmojnë se kontakti mes dy liderëve është i vazhdueshëm dhe atmosfera është më pozitive se më parë. Vetë Kurti ka deklaruar se “nëse do të ketë lëvizje, ajo do të ndodhë gjatë këtij muaji”, duke iu referuar afatit përfundimtar të 26 korrikut që e përcakton aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Fatmir Limaj ka konfirmuar publikisht se do ta ftojë Kurtin për një takim këtë javë. “E kam ndërmend ta ftoj për kafe, dhe kështu të tentojmë ta gjejmë një zgjidhje”, tha ai të premten, duke shtuar se “me bisedime gjithmonë ka diçka që sjell rezultate”.

Në tryezën e negociatave, Nisma ka dy kërkesa të qarta: postin e kryetarit të Kuvendit për Limajn dhe një paketë ligjore, e cila përfshin edhe uljen e pragut zgjedhor nga 5 në 2 për qind. Këto kërkesa, sipas burimeve nga LVV, janë ende në shqyrtim, por brenda grupit parlamentar nuk ka dakordim për t’ia lënë Limajt postin e kryeparlamentarit.

Deputetja e Nismës, Arbëreshë Kryeziu, ka pohuar me siguri se takimi do të ndodhë, ndërsa seanca për konstituimin e Kuvendit është ndërprerë për herë të 46-të, duke thelluar më tej krizën institucionale.

Kurti, ndryshe nga raportet e tensionuara me liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, i ka ruajtur raportet me Limajn, edhe pse më parë ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj partive të tjera shqiptare. Megjithatë, ai është i vetëdijshëm se pa një partner të ri nuk mund të sigurojë shumicën për të qeverisur.

Me afatin kushtetues që skadon brenda pak ditësh, zhvillimet e kësaj jave pritet të jenë vendimtare për të ardhmen politike të vendit. Nëse marrëveshja Kurti–Limaj finalizohet, ajo mund t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, duke i dhënë fund një bllokade që ka zgjatur me javë të tëra.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button