Deliu: Bllokada në Kuvend po paralizon shtetin – Kushtetuesja pa gjyqtarë, KMP jofunksional, mungojnë emërime në institucionet e pavarura

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit, duke e quajtur këtë një “pengmarrje të institucionit më të lartë në vend” që rrezikon thellësisht demokracinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Deliu thekson se bllokada institucionale ka sjellë pasoja serioze për funksionimin e shtetit. Ajo thotë se, përveç se disa komuna kanë mbetur pa buxhet, janë bllokuar edhe të gjitha proceset e emërimeve në institucionet e pavarura.
Sipas saj, aktualisht:
Gjykata Kushtetuese është pa gjyqtarë,
Komisioni i Pavarur për Media është jofunksional,
Avokati i Popullit është pa zëvendës,
Ndërsa qindra pozita mbeten bosh në borde, agjenci dhe komisione vendimmarrëse.
“Mungesa e veprimit nga legjislatura e kaluar dhe vonesat e Qeverisë në largim kanë shkaktuar jofunksionalitet institucional, mungesë llogaridhënieje dhe shkelje të sundimit të ligjit”, shkruan Deliu.
Ajo paralajmëron se pasojat janë të rënda dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj krize që, sipas saj, po minon themelet e shtetit demokratik.