Kosova

Rikthehet i nxehti – fundjavë me diell dhe temperatura në rritje

Pas një periudhe me temperatura disi më të freskëta, moti i nxehtë pritet të rikthehet në vend duke filluar nga fundjava. Sipas parashikimeve meteorologjike, dita e shtunë do të karakterizohet nga kthjellime dhe diell në shumicën e territorit. Pasditja mund të sjellë vranësira lokale kryesisht në zonat malore, por pa reshje të konsiderueshme.

Temperaturat minimale do të jenë ende paksa të ulëta në orët e mëngjesit, duke zbritur deri në 9°C – 12°C, ndërsa maksimalet gjatë ditës do të arrijnë deri në 29°C – 31°C. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi perëndimor dhe jugperëndimor me shpejtësi 1-4 m/s.

Të dielën parashihet një mot edhe më i nxehtë, me më shumë kthjellime dhe temperatura maksimale që pritet të arrijnë deri në 32°C. E hëna do të sjellë kulmin e të nxehtit për këtë periudhë, me temperatura që do të shkojnë deri në 33°C – 35°C.

Ndryshim i lehtë i motit pritet të ndodhë të martën, kur vranësirat kalimtare që do të përshkojnë rajonin mund të sjellin rrebeshe shiu dhe bubullima në disa zona. Reshje më të pakta mund të ketë edhe të mërkurën.

Temperaturat do të zbresin lehtë duke luhatur maksimalet rreth 30°C, ndërsa ato minimale do të jenë ndërmjet 13°C dhe 17°C. Nga dita e hënë do të fryjë erë veriore dhe veriperëndimore e lehtë deri mesatare me shpejtësi 4-7 m/s, ndërsa të martën mund të shoqërohet me hove deri në 10 m/s.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button