Japonia vendos rekord botëror në shpejtësinë e internetit: 1.02 petabitë për sekondë

Japonia ka thyer kufijtë e teknologjisë duke vendosur një rekord të ri botëror në shpejtësinë e internetit – plot 1.02 petabitë për sekondë, që i bie afro një milion gigabitë në sekondë.
Ky sukses u arrit nga Instituti Kombëtar Japonez për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (NICT) në bashkëpunim me kompaninë Sumitomo Electric, dhe u shpall publikisht në fund të muajit maj.
Për ta kuptuar më lehtë se çfarë përfaqëson kjo shpejtësi marramendëse: me 1.02 petabitë për sekondë, do të mund të shkarkonit të gjithë përmbajtjen e platformës Netflix për më pak se një sekondë. Madje, video-lojëra me madhësi 150 GB do të përfundonin shkarkimin brenda një çasti – një ëndërr për shumicën e përdoruesve të zakonshëm të internetit.
Sekreti qëndron në një kabllo optike speciale me 19 bërthama, ndryshe nga kabllot tradicionale me vetëm një bërthamë. Kjo zgjidhje inovative ka mundësuar transmetimin e të dhënave në shumë rrjedha paralele, duke ruajtur këtë shpejtësi edhe në një distancë prej 1800 kilometrash, afërsisht sa largësia mes Londrës dhe Romës.
Për më tepër, ky sistem nuk pëson humbje të cilësisë në distancë, gjë që e bën ideal për transmetime pa vonesa dhe me stabilitet të lartë.
Megjithatë, kjo arritje mbetet për momentin vetëm në kushte laboratorike. Ende nuk ka informacion nëse, apo kur, kjo teknologji do të bëhet e qasshme për përdorim komercial.
Në çdo rast, rekordi i ri i Japonisë sinjalizon një të ardhme të afërt ku internet super i shpejtë nuk do të jetë më një luks, por realitet.