Rajoni

Srebrenica, 30 vjet më pas: Gjenocidi që ende mohohet

Më 11 korrik të vitit 1995, trupat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë, duke kryer gjenocidin më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sot, 30 vjet më vonë, dhimbja vazhdon – jo vetëm për shkak të krimit vetë, por edhe për shkak të mohimit dhe mungesës së drejtësisë së plotë.

Gjenocidi ndodhi në një zonë që ishte shpallur “e sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Pamjet e refugjatëve të dëshpëruar në bazën e OKB-së në Potoçari dhe ndarja brutale e grave nga burrat e djemtë u bënë shpejt simbol i dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur masakrën.

Pavarësisht sinjaleve paralajmëruese dhe raporteve nga dëshmitarë në terren, reagimi ndërkombëtar mungoi. Vetëm në vitin 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, duke e njohur zyrtarisht natyrën gjenocidale të krimit.

Dinjiteti i përkujtimit, i përzier me hidhërim
Dhjetëra-mijëra njerëz pritet të marrin pjesë sot në Qendrën Memoriale të Potoçarit, në përkujtim të viktimave. Deri tani, mbetjet e rreth 7,000 nga 8,372 viktimat e identifikuara janë varrosur aty. Por për të mbijetuarit, dinjiteti i ceremonisë së përkujtimit është i përzier me hidhërim – për mohimin, harresën dhe mungesën e ndihmës shtetërore.

Shumë të mbijetuar jetojnë ende në kushte të vështira ekonomike e sociale. Vetëm një pjesë e vogël prej tyre gëzojnë status të mbrojtur dhe ndihmë nga shteti. Pjesa tjetër nuk kanë marrë kurrë mbështetje materiale apo psikologjike.

Mohimi dhe relativizimi, ende të gjalla
Përkundër vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë që e kanë njohur gjenocidin, në Serbi dhe Republikën Srpska mohimi i tij është bërë politikë shtetërore. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili në korrik 1995 ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Milosheviqit, ende nuk ka kërkuar ndjesë për deklaratat e tij të asaj kohe që nxisnin dhunë ndaj boshnjakëve.

Në vitin 2021, një komision i udhëhequr nga akademiku Gideon Greif publikoi një raport që mohoi gjenocidin dhe minimizoi numrin e viktimave. Ndërkohë, figura e kriminelit të luftës Ratko Mladiq vijon të glorifikohet në mure, postera dhe manifestime në Republikën Srpska dhe Serbi.

Në nivel vendor, në Srebrenicë, kryetarët serbë të bashkisë kanë mohuar gjenocidin në mënyra të ndryshme. Kryetari aktual, Milosh Vuçiq, e ka cilësuar fitoren e tij në zgjedhjet lokale të vitit 2024 si “përgjigje ndaj rezolutës së OKB-së”.

Ndërkombëtarët: një kërkim falje dhe shumë heshtje
Deri më tani, vetëm qeveria holandeze ka kërkuar ndjesë zyrtare, në vitin 2022, duke pranuar dështimin e bashkësisë ndërkombëtare për të mbrojtur civilët në Srebrenicë.

Megjithatë, shumë analistë dhe të mbijetuar besojnë se bashkësia ndërkombëtare ka qenë e vetëdijshme për planet e spastrimit etnik dhe i ka toleruar ato në heshtje, në funksion të negociatave të paqes.

Srebrenica, 30 vjet më pas, ende nuk ka zënë vendin që i takon në kujtesën kolektive evropiane. Ajo mungon në deklaratat përkujtimore të Bashkimit Evropian dhe në Ditën Evropiane të Kujtesës për viktimat e totalitarizmit, që kremtohet çdo 23 gusht.

“Kurrë më!” – një premtim i thyer
Për boshnjakët, gjenocidi në Srebrenicë është një plagë e hapur dhe një pjesë thelbësore e identitetit të tyre kombëtar. Përkujtimi është thelbësor, por i pamjaftueshëm përballë mohimit, mungesës së drejtësisë së plotë dhe harresës ndërkombëtare.

Tridhjetë vjet pas masakrës, apeli i vetë viktimave dhe të mbijetuarve është i qartë: drejtësi e plotë, kujtesë kolektive dhe ndëshkim për mohuesit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button