Osmani takon zëvendës-sekretarin amerikan Christopher Landau: Kosova e përkushtuar ndaj partneritetit strategjik me SHBA-të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon vizitën e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të administratës amerikane.
Gjatë qëndrimit të saj në Washington D.C., Osmani është pritur në takim nga zëvendës‑sekretari i Shtetit amerikan, Christopher Landau. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidentja përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka falënderuar për mikpritjen dhe diskutimin e hapur me zyrtarin amerikan.
“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimin e hapur në Washington D.C., Zv. Sekretar i Shtetit, Christopher Landau! Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar përkushtimin e Kosovës për më shumë siguri, zhvillim dhe mundësi për qytetarët dhe bizneset, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit me SHBA-të në këto procese.
Vizita e Osmanit vjen në një kohë kur raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve janë në fokus të dinamikave të reja rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa theksohet rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.