Trump dhe Infantino bashkë në finalen e Kupës së Botës për Klube në MetLife

Finalja e Kupës së Botës për Klube, që do të zhvillohet të dielën më 13 korrik në stadiumin MetLife të Nju Xhersit, pritet të shërbejë si provë zyrtare për finalen e madhe të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026. Ky stadium, shtëpia e skuadrave të NFL-së New York Jets dhe New York Giants, është përzgjedhur si vendi ku do të zhvillohet edhe finalja e Botërorit vitin e ardhshëm.
Kjo është hera e parë në histori që një Kupë Bote organizohet në tri vende njëkohësisht – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë – dhe do të shënojë rekord me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.
Në funksion të përgatitjeve, FIFA ka zhvendosur departamentin e saj ligjor në Miami, ku tashmë ndodhen edhe strukturat përgjegjëse për organizimin e turneut aktual dhe Botërorit 2026. Për më tepër, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi hapjen e një zyre të re të organizatës në “Trump Tower”, duke thelluar praninë institucionale të FIFA-s në SHBA.
“FIFA është një organizatë globale dhe, për të qenë e tillë, duhet të ketë prezencë lokale kudo. Prandaj është e rëndësishme të jemi në Nju Jork, jo vetëm për turneun e këtij viti dhe për Kupën e Botës vitin e ardhshëm, por edhe për funksionimin e zyrave tona,” deklaroi Infantino në një komunikatë zyrtare.
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen në finalen e së dielës, duke i dhënë peshë edhe më të madhe këtij eventi sportiv. “Do të shkoj në ndeshje,” u tha ai gazetarëve, ndërsa u përmend edhe mbështetja e “jashtëzakonshme” që administrata e tij i ka dhënë organizimit të turneut përmes një grupi pune të veçantë të Shtëpisë së Bardhë.
FIFA ka njoftuar gjithashtu se trofeu i Kupës së Botës për Klube do të ekspozohet në “Trump Tower” nga e marta deri të shtunën, duke i dhënë mundësi qytetarëve dhe turistëve të afrohen me simbolin e këtij turneu ndërkombëtar.
Gjatë mandatit të tij të dytë presidencial, Donald Trump nuk i ka shmangur aktivitetet sportive. Ai është bërë presidenti i parë në detyrë që ka ndjekur finalen e Super Bowl në muajin shkurt, ndërsa në maj njoftoi se Uashingtoni do të presë ngjarjen e rëndësishme të NFL Draft në vitin 2027.
Megjithatë, politikat e tij të ashpra mbi emigracionin dhe planet për ndalimin e hyrjes për shtetas nga 36 vende të tjera kanë ngritur shqetësime lidhur me përfshirjen globale në Botërorin 2026. Sipas një dokumenti të siguruar nga agjencia Reuters, administrata Trump po shqyrton zgjerimin e kufizimeve të udhëtimit, që mund të përfshijnë një listë të zgjeruar vendesh.
Pavarësisht polemikave, presidenti i FIFA-s ka siguruar publikun dhe komunitetin ndërkombëtar se “SHBA do të mirëpresë të gjithë botën” në ngjarjen më të madhe të futbollit që do të mbahet verën e ardhshme.