Lajme

Ndryshimet e Buxhetit 2025: Shtohet financimi për infrastrukturën, shkurtime për arsimin dhe shëndetësinë

Parlamenti miratoi pak ditë më parë ndryshimet e mes-vitit në buxhetin 2025, duke theksuar edhe një herë prioritetin e qeverisë për investimet në infrastrukturë, ndërsa sektorë si arsimi dhe shëndetësia kanë pësuar shkurtim fondesh krahasuar me buxhetin e fillimvitit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përfituar një rritje prej 2.85 miliardë lekësh, duke e çuar totalin e buxhetit në 76.88 miliardë lekë, një rritje prej 4%. Pjesa më e madhe e financimeve janë përqendruar në transportin rrugor, me një shtesë prej 2 miliardë lekësh (+6.6%), ndërsa furnizimi me ujë dhe kanalizimet kanë përfituar 864 milionë lekë më shumë (+6.1%). Edhe programi për mbështetjen e energjisë ka marrë një rritje prej 200 milionë lekësh (+6%).

Në të kundërt, transporti hekurudhor ka pësuar një ulje prej 393 milionë lekësh (-6.5%), që sinjalizon ngadalësim të projekteve të reja në këtë sektor.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka humbur 100 milionë lekë nga buxheti fillestar. Brenda këtij institucioni, arsimi universitar ka pësuar ulje me 300 milionë lekë (-2%), ndërsa fondet për shkencën janë rritur me 100 milionë lekë (+7%), si një sinjal pozitiv për kërkimin dhe inovacionin.

Situata është edhe më kritike në sektorin e shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka pësuar një ulje buxhetore me rreth 1 miliard lekë (-1.3%). Rënia më e madhe ka ndodhur në shërbimet e kujdesit parësor, me një shkurtim drastik prej 1.3 miliardë lekësh (-19.3%), çka rrezikon të përkeqësojë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve të para mjekësore për qytetarët. Edhe shërbimet e shëndetit publik janë prekur me një ulje prej 334 milionë lekësh (-6.7%), që mund të ndikojë në fushatat e vaksinimit dhe kontrollin e sëmundjeve infektive.

Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të mëdha për të frenuar emigracionin dhe për të rritur kapitalin njerëzor nëpërmjet investimeve në dije dhe shëndet, orientimi buxhetor vazhdon të favorizojë infrastrukturën fizike, duke lënë në plan të dytë shërbimet bazë për qytetarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button