Operacioni “Kalibri” – Dy kosovarë në pranga për trafikim armësh, Policia e Shqipërisë jep mesazhin e fortë: “Siguria nuk negociohet!”

Policia e Shqipërisë ka goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve nga Kosova në Shqipëri, duke arrestuar dy shtetas kosovarë dhe sekuestruar një sasi armësh. Në një njoftim zyrtar, uniformat blu bëjnë me dije se operacioni policor i koduar “Kalibri”, i zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar dhe konfiskimin e 8 armëve zjarri të llojit pistoletë.
Të arrestuarit janë identifikuar si Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy me banim në Prizren, të cilët dyshohet se kishin futur armët në territorin shqiptar përmes kufirit jeshil, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri.
Pas këtij suksesi, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dalë me një mesazh publik, ku vlerëson rezultatet e arritura dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë për goditjen e rrjeteve kriminale.
“Operacioni i fundit i finalizuar nga Policia e Kukësit, si dhe operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë një dëshmi e qartë se Policia e Shtetit është e pranishme, vigjilente dhe e vendosur për të garantuar sigurinë në çdo cep të vendit,” deklaroi Proda.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është shndërruar në një “model suksesi” në rajon, ndërsa u shpreh mirënjohës për strukturat e Policisë së Kukësit, patrullat, njësinë Shqiponja dhe hetuesit që kontribuan në finalizimin e këtij operacioni.
Proda vuri në dukje se armët ilegale mbeten burimi kryesor i krimeve të rënda dhe përbëjnë një rrezik të madh për jetën, pronën dhe rendin publik.
“Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar,” u shpreh ai.
Në fund të deklaratës, drejtori i Policisë bëri thirrje për një aleancë të fortë me qytetarët, median, të rinjtë dhe shoqërinë civile për të përforcuar sigurinë dhe për të përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës.
“Mesazhi im është i qartë: Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme,” përfundoi ai.