Takimet në Presidencë për konstituimin e Kuvendit vazhdojnë, por ende pa rezultat

Kryetarja e Socijaldemokratska Unija, Duda Balje, është duke zhvilluar takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të një serie konsultimesh për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Osmani ka nisur këto konsultime me kryetarët e partive nga komunitetet joshumicë, pas takimeve të zhvilluara dje me katër kryetarët e partive të shumicës shqiptare.
Në ditën e sotme në Presidencë kanë kaluar edhe kryetari i Guxo, Faton Peci, kryetari i Partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, kryetari i Kosova Demokratik Türk Partisi, Fikrim Damka, dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës, Elbert Krasniqi.
Pas këtyre takimeve, Presidenca ka njoftuar se liderët kanë paraqitur qëndrimet dhe interpretimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjithë liderëve që brenda afatit 30 ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të arrihet një pajtim për rrugën përpara, në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, për të siguruar interesin qytetar dhe shtetëror.
Megjithatë, deri tani takimet nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, ndërsa Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar dhe i pazgjedhur.