PDK dorëzon rast në Kushtetuese: Memli Krasniqi akuzon Kurtin për “pengmarrje të shtetit”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar sot se PDK do të dorëzojë një rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti, për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës.
Sipas Krasniqit, tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive të Kuvendit janë në kundërshtim me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, dhe për këtë arsye partia e tij po kërkon ndërhyrje urgjente të kësaj gjykate.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të uzurpimit dhe pengmarrjes institucionale nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurti”, tha Krasniqi.
Ai paralajmëroi se kanë mbetur vetëm edhe 23 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, duke i bërë thirrje Kurtit të tërhiqet nga, siç e quajti, “qëndrimi imponues”.
“Tri vazhdimet e seancës kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije e Kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës me instruksione të partisë së tij dhe ne s’mund të rrimë duarkryq”, theksoi kreu i PDK-së.
Krasniqi tha se pret që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë rast me urgjencë, për shkak të rëndësisë dhe afateve kushtetuese në fuqi.