Kosova

41 herë dështim në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ngërçi vazhdon

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të 41-tën herë me radhë që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në seancën e fundit, kryesuesi Avni Dehari hodhi në votim përsëri komisionin për votim të fshehtë, i cili përsëri dështoi të themelohet. Nga 99 deputetë të pranishëm, vetëm 54 votuan pro, ndërsa asnjë kundër apo abstenim nuk u shënua.

Partitë PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe që nga 1 maji refuzojnë të propozojnë anëtarë për këtë komision, i cili do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Përfaqësues të këtyre partive kërkuan që kryesuesi të mos shkelë Kushtetutën, por iu ndal mikrofoni pasi nuk dhanë emra për anëtarë të komisionit.

Dështimi i radhës erdhi pavarësisht takimeve të presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive, në përpjekje për të tejkaluar krizën institucionale. Osmani u bëri thirrje liderëve që të gjejnë pajtim brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, por këto përpjekje deri më tani nuk kanë sjellë rezultat.

Para seancës pati edhe protesta nga shoqëria civile, e cila kërkon zgjidhje dhe kompromis nga partitë politike. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi u shpreh se shoqëria civile pret reflektim dhe respektim të Kushtetutës nga deputetët.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese obligoi deputetët të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Lëvizja Vetëvendosje mbetet në qëndrimin se votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i fshehtë, ndërsa partitë e tjera kërkojnë votim të hapur, sipas praktikave të deritanishme.

Ngërçi politik vazhdon, duke penguar formimin e institucioneve dhe zhvillimin normal të punës së Kuvendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button