Ardian Ismajli largohet nga Empoli pas katër vitesh, pritet të transferohet te Torino

Ardian Ismajli i ka dhënë fund aventurës së tij katërvjeçare me klubin italian Empoli.
Mbrojtësi kosovar është larguar përfundimisht nga skuadra toskane, pasi kontrata e tij ka skaduar dje dhe nuk është rinovuar. Empoli nuk arriti të mbijetonte në Serie A këtë sezon dhe do të luajë në Serie B, por Ismajli ka vendosur të mos vazhdojë me ekipin dhe të kërkojë një përvojë të re.
Përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, Ismajli falënderoi klubin dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij me Empolin.
“Të dashur empolesë, pas 4 vjetësh rrugëtimi im mbyllet këtu. Në këta 4 vjet nga dita e parë jam ndier në shtëpinë ku jam rritur si futbollist dhe edhe më shumë si person. E falënderoj presidentin Fabrizio Corsi, zëvendëspresidenten Rebecca Corsi dhe të gjithë punëtorët, tifozët, qytetin dhe të gjithë shokët e skuadrës. Kjo nuk është një lamtumirë, është veç një përshëndetje. I juaji ISMA”, ka shkruar ai në Instagram.
Gjatë qëndrimit të tij në “Stadio Carlo Castellani”, 28-vjeçari regjistroi 106 paraqitje në të gjitha garat.
Sipas mediave italiane, Ismajli pritet t’i bashkohet klubit të Torinos si lojtar i lirë, dhe zyrtarizimi i transferimit mund të ndodhë në ditët në vijim.