Kosova

Lirohet rruga kryesore në Graçanicë pas përfundimit të manifestimit të Vidovdanit

Pas përfundimit të manifestimit të Vidovdanit në Graçanicë, është liruar rruga kryesore që lidh këtë komunë me Gjilanin, e cila ishte devijuar përkohësisht për shkak të tubimeve të besimtarëve serbë pranë Manastirit të Graçanicës.

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka rifilluar qarkullimi normal i automjeteve në këtë segment rrugor, pasi për disa orë ishte ndaluar kalimi përmes qendrës së Graçanicës për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve në liturgjinë e organizuar me rastin e Vidovdanit.

Rruga ishte devijuar që nga mëngjesi i ditës së sotme, dhe lëvizja e automjeteve ishte orientuar në rrugë alternative për të shmangur zonën përreth manastirit. Policia kishte paralajmëruar qysh dje për këto masa të përkohshme në trafik, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.

“Po ashtu, me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve, pjesëmarrësve në trafik,” thuhej në njoftimin zyrtar të policisë.

Për menaxhimin e situatës së sigurisë, autoritetet kishin shtuar prezencën policore në Graçanicë, përfshirë edhe Njësinë Speciale, ndërsa në terren u pa edhe Inspektorati i Policisë.

Manifestimi i Vidovdanit kaloi pa incidente të mëdha dhe tashmë lëvizja në rrugën kryesore është rikthyer në normalitet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button