600 biznese kosovare ikin drejt Shqipërisë – AKB kërkon alarm ekonomik kombëtar

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për largimin masiv të ndërmarrjeve kosovare jashtë vendit, duke e cilësuar këtë fenomen si një rrezik serioz për të ardhmen ekonomike të Kosovës. Vetëm gjatë vitit 2024, sipas AKB-së, rreth 600 biznese aktive janë zhvendosur drejt Shqipërisë, ndërsa investimet e drejtpërdrejta nga Kosova në shtetin fqinj arritën në 100 milionë euro – një rritje prej 32% krahasuar me vitin paraprak.
“Bizneset po investojnë jashtë – Kosova po humb brenda,” thuhet në deklaratën e AKB-së, ku nënvizohet se stoku total i investimeve kosovare në Shqipëri nga viti 2020 deri më tani ka arritur në rreth 450 milionë euro.
Sipas AKB-së, ky trend nuk është thjesht tregues i interesit për tregje të reja, por pasojë direkte e kushteve të pafavorshme për zhvillim të brendshëm në Kosovë. Mungesa e përkrahjes institucionale, pasiguria ligjore dhe procedurale, mungesa e stimujve ekonomikë për kapitalin vendor, si dhe konkurrenca jo e barabartë në tregun e brendshëm, po i shtyjnë ndërmarrjet të kërkojnë alternativa jashtë vendit.
“Kapitali është gjaku i ekonomisë – dhe Kosova nuk mund të përparojë duke e humbur gjakun e saj afarist,” deklaroi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Për të ndalur këtë trend, AKB kërkon hartimin urgjent të një Pakti Ekonomik Kombëtar, që do të përfshinte institucionet publike, sektorin privat dhe diasporën. Gjithashtu, AKB u bën thirrje Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës të ndërmarrin reforma strukturore, me qëllim krijimin e një ambienti më tërheqës për investime të brendshme.
Organizata paralajmëron për pasoja afatgjata ekonomike dhe sociale nëse vazhdon shpërndarja e kapitalit dhe rënia e besimit në ekonominë vendore. /Gazeta Express