Torino përforcon skuadrën me dy lojtarë nga Empoli: Ardian Ismajli dhe Tino Anjorin i bashkohen klubit granata

Torino ka përfituar nga rënia e Empolit në Serie B për të përforcuar radhët e veta, duke siguruar shërbimet e dy lojtarëve të rëndësishëm: Ardian Ismajlit dhe Tino Anjorin.
Sipas raportimeve të Sky Sport Italia, klubi torinez ka arritur marrëveshje të plotë si me Empolin, ashtu edhe me mesfushorin ofensiv anglez, Tino Anjorin, për transferimin e tij në Stadio Olimpico Grande Torino. 23-vjeçari, ish-reprezentues i Anglisë U-20 dhe produkt i akademisë së Chelseat, ishte në radarët e disa skuadrave italiane si Fiorentina, Bologna dhe Roma, por ka zgjedhur Torinon si destinacionin e tij të ri.
Anjorin, i cili u transferua te Empoli në vitin 2024 me një marrëveshje falas, pati një sezon të vështirë për shkak të lëndimeve, duke grumbulluar vetëm 22 paraqitje, me 2 gola dhe 3 asistime në Serie A. Si pjesë e marrëveshjes së vjetër, Empoli do të duhet të ndajë 50% të shumës së transferimit me ish-klubin e tij, Chelsea.
Në të njëjtën kohë, Ardian Ismajli i është bashkuar Torinos si agjent i lirë, pasi kontrata e tij me Empolin ka përfunduar. Klubi torinez kishte arritur prej kohësh marrëveshjen personale me mbrojtësin shqiptar, por priste zyrtarizimin pas largimit të Saul Coco, i cili megjithatë po has në vështirësi për të finalizuar kalimin te Al-Duhail në Katar.
Me ardhjet e Anjorin dhe Ismajlit, Torino synon të rrisë konkurrencën në skuadër dhe të mbulojë boshllëqet e mundshme, përfshirë largimin e Samuele Riccit, i cili është afër kalimit te Milani.
Këto dy goditje në merkato tregojnë qartësisht ambiciet e Torinos për sezonin e ardhshëm në Serie A.