“120 rroga, 0 përgjegjësi” – Shoqëria civile proteston para Kuvendit

Organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar sot një performancë simbolike para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj bllokimit të procesit të konstituimit të këtij institucioni.
Të pajisur me pankarta ku lexohej “120 rroga, 0 përgjegjësi”, aktivistët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për dështimet e njëpasnjëshme të deputetëve për të mbajtur seanca funksionale, duke theksuar mungesën e përgjegjshmërisë institucionale dhe politike.
Aksioni u organizua për të rikujtuar rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve dhe për të bërë thirrje që përfaqësuesit e zgjedhur të marrin përgjegjësitë që u takojnë sipas Kushtetutës. Protestuesit kërkuan që Kuvendi të vihet urgjentisht në funksion në shërbim të qytetarëve të vendit.
Kjo nuk është hera e parë që shoqëria civile reagon ndaj krizës institucionale – por përfaqësues të saj kanë paralajmëruar se do të intensifikojnë presionin publik nëse situata mbetet e pandryshuar.