Kosova

Ambasadori Britanik takon Kurtin: Kërkohet zgjidhje urgjente për ngërçin parlamentar dhe qetësi në veri

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreave, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me qëllim diskutimi rreth situatës aktuale politike dhe zhvillimeve në veri të vendit.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga ambasadori, biseda u përqendrua në nevojën urgjente për të zgjidhur ngërçin parlamentar që ka bllokuar funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

“Dje u takova me kryeministrin në detyrë Kurti. Diskutuam nevojën urgjente për të zgjidhur ngërçin parlamentar, si dhe ngjarjet e fundit në veri të Kosovës,” deklaroi ambasadori Hargreave.

Ai theksoi gjithashtu se palët ranë dakord për domosdoshmërinë e shmangies së veprimeve përshkallëzuese dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Ramë dakord se është në interesin e të gjithëve të shmangen veprimet përshkallëzuese dhe të ruhet një mjedis i sigurt në rajon, dhe se të drejtat dhe mbrojtjet për të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të respektohen plotësisht,” shtoi ai.

Ambasadori britanik nënvizoi edhe rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button