Ambasada Amerikane: Pas vendimit të Kushtetueses, liderët politikë të formojnë urgjentisht Qeverinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me bllokadën institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të proceseve kushtetuese dhe urgjencën për të formuar institucionet e reja shtetërore.
Në një prononcim për gazetën Express, zëdhënësi i Ambasadës theksoi se tani është përgjegjësi e liderëve të partive politike që të finalizojnë konstituimin e Kuvendit dhe të krijojnë një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën.
“Është përgjegjësi e liderëve politikë të konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën,” u shpreh zëdhënësi.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë përkrahëse të forta të zhvillimit demokratik të Kosovës dhe janë të gatshme të punojnë me qeverinë e re për të avancuar stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin.
Vendimi i Kushtetueses, i marrë të enjten, detyron partitë politike që brenda një afati prej 30 ditësh të respektojnë frymën kushtetuese dhe të angazhohen për formimin e institucioneve. Gjykata ka bërë të qartë se e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit, që i takon partisë fituese, nuk duhet të përdoret si mjet për të bllokuar procesin politik, ndërsa ka kërkuar nga të gjitha partitë të marrin pjesë në votim.
Reagimet e partive politike pas këtij vendimi kanë qenë të shumta, ndërkohë që vëmendja është përqendruar tek seanca e sotme konstituive – e para pas vendimit të Kushtetueses – për të parë nëse do të ketë përparim konkret drejt formimit të institucioneve të reja.