8 raste me fruth në Kosovë, IKShPK u bën thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët

Tetë raste me fruth janë konfirmuar gjatë ditëve të fundit në Kosovë, ndërsa dy raste janë të dyshimta.
IKShPK ka njoftuar se të gjitha rastet janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR, dhe po marrin trajtim në spital.
Tutje u është bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët.
“Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse.
Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.
IKSHPK dhe institucionet shëndetësore janë duke bërë mbikëqyrjen aktive të situatës epidemiologjike dhe në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën përmes ofrimit të shërbimeve të nevojshme për qytetarët. Paralelisht, po zbatohen masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin aktiv të prindërve për t’i sjellë fëmijët për vaksinim, si dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinimin me bazë në komunitet (derë më derë), në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit”, thuhet në njoftim.



