
Në vetëm 48 orët e fundit, gjashtë persona në Kosovë kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta, ku dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje me armë zjarri ose vetvarje.
Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) e ka cilësuar këtë fenomen si një alarm serioz, duke kritikuar mungesën e masave parandaluese dhe hetimeve për shkaqet që çojnë në këto tragjedi.
Sipas KMDLNj-së, faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve janë gjendja e rëndë ekonomike, papunësia, mungesa e mbështetjes shtetërore për qytetarët në krizë, si dhe izolimi social i grupeve të margjinalizuara, përfshirë pensionistët dhe veteranët e luftës.
Organizata paralajmëron se pa trajtim adekuat dhe mbrojtje për qytetarët, shteti po i ekspozon ata drejt një forme të heshtur të eutanazisë. KMDLNj kërkon veprim urgjent institucional për të mbrojtur të drejtën për jetë dhe për të ndaluar këtë valë tragjike.