520 mijë vota për Berishën, 0 pyetje për bandat e pushtetit

Pas ngjarjes së rëndë të 11 majit, valë reagimesh kanë pushtuar skenën publike. Një kor zërash politikë, analistësh dhe figurash publike kërkon largimin e Sali Berishës nga skena politike, duke iu referuar një paragrafi të statutit të Partisë Demokratike. “Fajin e ka Saliu” është bërë sërish poezia e pushtetit.
Por ndërsa goditjet ndaj Berishës janë të drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme, heshtja rreth emrave të tjerë problematikë që garuan më 11 maj është ulëritëse. Kandidatë me lidhje të përfolura me grupe kriminale si Suel Çela, Bajrat, Çyrbët, Rrajat, Ndokët dhe shumë të tjerë, u panë në lista, në fushata, madje dhe në shoqëri të afërt me zyrtarë të lartë.
Mafia, thonë zëra kritikë, ishte jo vetëm në terren por dhe në vendimmarrje – bashkautore e mandateve që sollën fitoren. Dhe ndërkohë që votuesit shqiptarë i besojnë SPAK-ut si strukturë të posaçme për drejtësi, nuk ndalen së votuari për individë që ndodhen nën hetim, apo që janë përmendur në përgjime sky-enchro. Kjo ironia më e madhe e demokracisë shqiptare: të dënuarit dhe denoncuesit marrin të njëjtën votë.
Në këtë realitet të deformuar, pyetjet për opozitën bëhen të vështira: Çfarë duhet të bëjë Sali Berisha për të konkurruar me një sistem që, siç thuhet, funksionon me regji të qeverisë? Të imitojë taktikat e mazhorancës? Të kontraktojë bandat që s’i ka zënë Rama ende në rresht? Apo të shesë copë copë PD-në tek e njëjta mafie që, siç pretendohet, ka kontrolluar listat e deputetëve të mazhorancës?
E vërteta është se Berisha mori 520 mijë vota në një terren aspak të barabartë. Dhe ndërsa opozita e re – ajo që pretendon të jetë ndryshimi – i është bashkuar korit që kërkon largimin e tij, fakt është se një shteg demokracie u mbajt ende në këmbë pikërisht nga rezistenca e Berishës.
Po nëse ai ikën, siç kërkohet me ngulm, çfarë do të mbetet? Një shtet ku çdo lëvizje politike kontrollohet nga të njëjtat struktura që i kanë blerë, shantazhuar dhe përndjekur votat për një dekadë. Një sistem ku edhe shprehja më e vogël e lirë do të jetë me leje. Madje edhe ajo e të shkuarit në tualet.
Diskutimi pas 11 majit nuk duhet të kufizohet te një emër i vetëm. Shqiptarët duhet të kërkojnë llogari për të gjithë ata që kanë përdhosur procesin zgjedhor – qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Sepse demokracia nuk vdes nga një emër, por nga hipokrizia kolektive.