Zyrtare: Granit Xhaka transferohet te Sunderland, babai i tij me mesazh emocionues

Granit Xhaka ka zyrtarizuar dje kalimin e tij te Sunderland, skuadra e promovuar rishtazi në Premierligën angleze. Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës, përveç zyrtarëve të klubit, të pranishëm ishin edhe anëtarët e familjes së mesfushorit shqiptar.
Babai i tij, Ragip Xhaka, ka ndarë një reagim emocional pas këtij kapitulli të ri në karrierën e djalit të tij. Ai shprehu krenarinë për vendosmërinë dhe guximin e Granitit për të zgjedhur Premierligën, pavarësisht ofertave nga ekipe të tjera të mëdha.
Reagimi i plotë i Ragip Xhakës:
“Granit, nga zemra, babi të uron shëndet, fat dhe shumë suksese në kapitullin tënd të ri!
E dimë të gjithë: në çdo ekip ku ke luajtur, ke qenë i pazëvendësueshëm, lider, dhe kapiten me zemër.
Shumë oferta kanë ardhur – ekipe të mëdha të kanë kërkuar – por ti, luani im, zgjodhe Premier League, ligën më të fortë në botë. Dhe e dimë pse: sepse ti nuk kërkon rrugë të lehta, por sfida të mëdha, aty ku bëhen legjendat!
Je rritur me punë, me sakrificë dhe me shumë zemër.
Ke bërë krenar jo vetëm familjen, por edhe krejt shqiptarët anembanë botës.
Tani, edhe njëherë, do t’ju tregosh të gjithëve se je lider i lindur, i pathyeshëm, dhe gjithmonë i denjë për më të mirën!
Zoti të bekoftë, luani im.
Të dua dhe do jem gjithmonë krenar me ty.”
Kalimi i Xhakës te Sunderland shihet si një hap i guximshëm në një kampionat të ashpër si Premierliga, ndërsa mbështetja e familjes mbetet shtylla e tij kryesore.