Zyrtare: Florentino Perez prezanton Xabi Alonson si trajnerin e ri të Real Madridit

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Xabi Alonsos si trajnerin e ri të “Los Blancos”, gjatë prezantimit të përforcimit më të fundit të klubit, Alvaro Carreras.
Në një deklaratë për mediat, Perez theksoi se klubi ka zgjedhur një nga trajnerët më të mirë në botë, me të cilin synon të vazhdojë rrugën drejt trofeve dhe sukseseve të mëdha.
“Për sezonin e ardhshëm kemi angazhuar lojtarë si Alexander-Arnold, Huijsen e Mastantuono, përveç një trajneri si Xabi Alonso, njëri prej më të mirëve në botë. Sot prezantojmë një tjetër lojtar të madh: i themi mirë se erdhe Alvaro Carreras”, deklaroi Perez.
Ai shtoi se Real Madridi është në një nga ciklet më të suksesshme në histori dhe klubi synon ta vazhdojë këtë rrugë për t’i bërë krenarë dhe të lumtur tifozët në mbarë botën.
Xabi Alonso merr drejtimin e ekipit pas largimit të Carlo Ancelottit, i cili në fund të sezonit të kaluar u emërua përzgjedhës i Kombëtares së Brazilit, pas një sezoni të zhgënjyeshëm me “Los Blancos”.
Ish-mesfushori i Real Madridit, që shkëlqeu si trajner i Bayer Leverkusen duke i udhëhequr drejt suksesit në Bundesligë, tashmë ka një sfidë të re: të udhëheqë gjigantin spanjoll drejt trofeve të tjerë.
Tifozët madrilenë tashmë janë të ngazëllyer për sezonin e ri, me përforcimet e reja dhe me besimin e madh që po i jepet Xabi Alonsos në rikthimin e lavdisë në “Santiago Bernabeu”.