Sport

Zyrtare: Ardon Jashari transferohet te Milani për 39 milionë euro

“Telenovela” e gjatë për transferimin e Ardon Jasharit mori fund. Mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut është tashmë futbollist i ri i Milanit, pasi klubi italian dhe Club Brugge kanë arritur marrëveshje përfundimtare për kartonin e tij.

Sipas “Gazeta Express”, marrëveshja u mbyll për një shumë totale prej 39 milionë eurosh, përfshirë bonuset. Pas rreth dy muajsh negociata intensive, oferta e Milanit më në fund u pranua nga belgjianët.

23-vjeçari zbarkoi në aeroportin e Linates në Milano mbrëmë rreth orës 23:00, ku u prit nga dhjetëra tifozë kuqezi dhe përfaqësues të mediave. Me një buzëqeshje në fytyrë, Jashari u shpreh shkurt: “Jam shumë i lumtur, jam shumë i lumtur.”

Sot, ai pritet të kalojë testet mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën pesëvjeçare me Milanin, që do ta mbajë në “San Siro” deri në verën e vitit 2030. Paga vjetore e mesfushorit do të jetë rreth 2.5 milionë euro.

Jashari kishte kohë që kishte arritur marrëveshje personale me Milanin dhe kishte refuzuar disa oferta të tjera për të realizuar ëndrrën e tij të fëmijërisë. Klubi kuqezi ka qenë gjithmonë preferenca e tij dhe ai i kishte bërë presion Club Brugge për të lejuar transferimin.

Me këtë kalim, Ardon Jashari bëhet shqiptari i parë në histori që do të veshë fanellën e Milanit në ekipin e parë. Një rol kyç në këtë transferim thuhet se ka luajtur drejtori sportiv i klubit italian, Igli Tare, gjithashtu shqiptar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button