Zyrtar i MPB-së së Serbisë arrestohet në Bërnjak me municion

Një shtetas i Serbisë me inicialet S.R. është arrestuar të enjten në pikën kufitare Bërnjak, pasi gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës iu gjet municion në automjet. Lajmin e ka konfirmuar për portalin Kossev zëdhënësi i Policisë për Rajonin Verior, Petrit Fejza.
Sipas tij, i arrestuari është pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe vjen nga Novi Pazari. Ai punon në njërën prej pikave kufitare në anën serbe, por Fejza nuk specifikoi se për cilën pikë bëhet fjalë.
“S.R. ka hyrë në Kosovë si civil, ndërsa municioni i është gjetur gjatë kontrollit në dalje nga Kosova. Ai është ndalur nga policia dhe gjatë kontrollit është gjetur municioni”, deklaroi Fejza.
Sipas Policisë, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Portali Kossev ka kontaktuar edhe MPB-në e Serbisë për të marrë një koment lidhur me këtë rast dhe për të pyetur nëse parashihet ndonjë masë ndaj zyrtarit të saj, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.