Zyrat e “IdentiTek” do të jenë të hapura edhe të shtunën për tërheqjen e kartave të identitetit

Ministria e Brendshme ka njoftuar se zyrat e shpërndarjes së kartave të identitetit do të qëndrojnë të hapura edhe ditën e shtunë, më 10 maj 2025. Kjo masë është ndërmarrë nga kompania “IdentiTek”, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që nuk kanë mundur të tërheqin dokumentet e tyre në kohë.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrat e aplikimit të “IdentiTek” do të jenë të hapura nga ora 09:00 deri në 14:00 vetëm për tërheqjen e kartave të identitetit.
“Ditët e fundit është konstatuar një fluks i shtuar aplikimesh nga qytetarët, të cilëve u kanë skaduar afatet e vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, e nxitur kjo edhe nga procesi i zgjedhjeve të përgjithshme,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, qeveria ka miratuar Aktet Normative që lejojnë çdo shtetas të votojë edhe nëse dokumenti biometrik që zotëron ka afat të skaduar. Masa synon të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe të sigurojë që çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e votës pa pengesa.