Kosova

Zvicra dëboi padrejtësisht një shqiptar nga Kosova – GJEDNJ e dënon me 19 mijë euro dëmshpërblim

Një shqiptar nga Kosova ka fituar betejën ligjore kundër Zvicrës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila vendosi se dëbimi i tij kishte shkelur të drejtën për jetën private dhe familjare, të garantuar nga neni 8 i Konventës Evropiane.

Emigranti, sot 35 vjeç, kishte mbërritur në Zvicër që në moshën pesë muajsh, përmes ribashkimit familjar në kantonin e Tisinës në vitin 1989. Edhe pse i rritur dhe i integruar në shoqërinë zvicerane, ai u përfshi më vonë në aktivitete kriminale. Në vitin 2009, ai u dënua me 26 muaj burg për vepra të rënda penale, përfshirë sulme të dhunshme dhe kërcënime me vdekje.

Pas këtij dënimi, autoritetet zvicerane ia revokuan lejen e qëndrimit dhe vendosën dëbimin e tij nga vendi. Megjithatë, ky vendim u zbatua vetëm pas 14 vjetësh, në korrik të vitit 2023.

Në ankesën e paraqitur në GJEDNJ, shqiptari argumentoi se dëbimi i tij përbënte një shkelje të rëndë të të drejtave të tij, për shkak të lidhjeve të forta familjare e sociale në Zvicër dhe problemeve serioze shëndetësore, pasi ai vuan nga një defekt në zemër.

Gjykata në Strasburg i dha të drejtë, duke theksuar se autoritetet zvicerane nuk kishin shqyrtuar siç duhet ndikimin e dëbimit në jetën e tij personale dhe mjekësore. Ajo vendosi që Zvicra të paguajë 19,000 euro dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave të tij.

Ky vendim nënvizon balancën e ndjeshme mes të drejtave themelore të individit dhe nevojës së shtetit për të mbrojtur rendin publik, sidomos kur bëhet fjalë për persona që janë rritur dhe integruar në vendin pritës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button