ZRRE paralajmëron ndërprerje energjie për bizneset që nuk kalojnë në tregun e hapur

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se afati 60 ditor për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të furnizimit me energji elektrike po përfundon. Në një komunikatë për media, ZRRE thekson se ligjshmëria e këtij procesi është konfirmuar nga gjykatat kompetente.
Në njoftim, ZRRE i bën thirrje të gjitha bizneseve që ende nuk kanë lidhur kontratë me furnizues të licencuar të veprojnë urgjentisht dhe të zgjedhin një nga operatorët e autorizuar, të cilët janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së.
“Nga data e nesërme do të fillojnë ndërprerjet e energjisë për ata konsumatorë komercialë që nuk kanë lidhur kontratë në tregun e lirë, pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht,” thuhet në komunikatë.
ZRRE apelon që bizneset të mos e vonojnë procesin, për të shmangur ndërprerjet dhe për të siguruar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike.