ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë, vendim ligjor që ka për qëllim krijimin e konkurrencës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka dalë me sqarime pas kundërshtive të bizneseve ndaj vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke theksuar se ky proces është një detyrim ligjor i vendosur që nga viti 2016.
ZRRE shpjegoi se vendimi për liberalizim, i cili synon të krijojë konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol, u vonua për shkak të pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. “Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2016, si pjesë e përmbushjes së obligimeve të vendit sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe Direktivat Evropiane”, tha ZRRE.
Sipas këtij institucioni, që nga viti 2017 janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizim, duke nisur me daljen në treg të konsumatorëve industrialë. ZRRE ka licencuar 23 kompani për furnizim me energji elektrike, prej të cilave 7 furnizues aktualisht janë aktivë dhe kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët.
Nga 9,963 pika matëse të bizneseve që i plotësojnë kriteret për të dalë në treg të hapur, 92% janë furnizuar tashmë me kontrata komerciale, ndërsa 8% ende nuk kanë nënshkruar marrëveshje. Për të lehtësuar kalimin e tyre, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka vepruar si Furnizues i Mundësisë Fundit, duke ofruar energji për 60 ditë për konsumatorët që nuk kishin lidhur kontrata deri më 1 qershor 2025.
ZRRE ka bërë thirrje që të gjithë konsumatorët që ende nuk kanë nënshkruar kontrata me furnizuesit e licencuar të veprojnë sa më shpejt për të garantuar furnizim të qëndrueshëm. Ndërkohë, KEDS ka nisur shkyçjet e bizneseve që nuk kanë marrëveshje me ndonjërin nga furnizuesit e licencuar, duke filluar nga 16 gushti 2025.