ZRRE hesht ndaj aktgjykimit të Gjykatës Komerciale që anulon vendimin për tregun e hapur të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) vazhdon të heshtë përballë aktgjykimit të Gjykatës Komerciale, e cila më 29 korrik anuloi në tërësi vendimin për hapjen e tregut të energjisë për bizneset e mëdha dhe caktoi masën e pezullimit. Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë, ZRRE nuk ka dalë me asnjë qëndrim zyrtar për të sqaruar situatën dhe hapat e ardhshëm.
Në heshtje të thellë është edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila në dy muajt e fundit kishte marrë përsipër furnizimin me energji të bizneseve që u nxorën në tregun e hapur. Pa reagim mbetet gjithashtu kompania private për furnizim me energji elektrike, KESCO.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi, e ka kritikuar ashpër këtë mungesë komunikimi nga ana e institucioneve përgjegjëse. Sipas tij, ZRRE-ja duhet urgjentisht të rikthejë situatën në gjendjen para datës 1 qershor dhe të lejojë një periudhë njëvjeçare për përgatitje të bizneseve dhe operatorëve të licencuar.
“Vendimi i Gjykatës është i prerë, vendimi i ZRRE-së është anuluar, por bizneset po vazhdojnë të furnizohen me rrymë pa e ditur nga kush. Kemi hyrë në gusht pa asnjë sqarim nga ZRRE-ja, dhe bizneset pranojnë fatura të paqarta”, tha Krasniqi për Dukagjinin.
Sipas tij, kjo gjendje e paqartë po krijon një krizë të re për sektorin privat.
“Bizneset janë futur në një situatë kaotike, ku nuk dinë si të veprojnë. Çmimet kanë variuar në mënyrë ekstreme – deri në 500 për qind. Askush nuk ka qenë i përgatitur, as bizneset për blerje të energjisë, e as kompanitë për ta ofruar atë”, shtoi ai.
Gjykata Komerciale javën e kaluar kishte anuluar vendimin e ZRRE-së që nxirrte në tregun e hapur rreth 1300 biznese me mbi 50 të punësuar ose me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Aktgjykimi shënon një kthesë të rëndësishme në politikën energjetike të Kosovës, por vendimmarrja e vonuar e ZRRE-së dhe mungesa e komunikimit po thellojnë krizën për sektorin privat.