Kosova

ZRRE: Furnizimi i garantuar me energji elektrike përmes KEK përfundon më 30 korrik – konsumatorët duhet të lidhen me furnizues të licencuar

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se më 30 korrik 2025 përfundon periudha maksimale e furnizimit të garantuar me energji elektrike për konsumatorët që aktualisht furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes mekanizmit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF).

Sipas ZRRE-së, ky afat përfundimtar vlen për të gjithë konsumatorët që kanë filluar të shfrytëzojnë këtë shërbim nga data 1 qershor 2025. Institucioni u bën thirrje konsumatorëve të prekur që të veprojnë sa më parë duke kontaktuar një furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë marrëveshje komerciale për furnizim me energji elektrike.

ZRRE paralajmëron se mosveprimi brenda afatit do të çojë në ndërprerje automatike të furnizimit me energji pas datës 30 korrik, përkatësisht pas periudhës 60-ditore që lejohet sipas legjislacionit, pasi furnizimi përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

Përveç thirrjes për veprim, ZRRE ka mbrojtur procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke theksuar se të gjitha vendimet janë të mbështetura ligjërisht dhe janë vlerësuar si të ligjshme edhe nga gjykatat.

“Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një proces që po zbatohet në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikat më të mira rregullatore. Me kënaqësi ju informojmë se edhe gjykatat, në rastet e shqyrtuara lidhur me këtë proces, kanë vlerësuar si të ligjshme dhe të bazuara vendimet e ZRRE-së,” thuhet në njoftim.

ZRRE u bën apel të gjithë konsumatorëve të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike në përputhje me rregullat e tregut të liberalizuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button