Zjarret përfshijnë Komunën e Istogut – Kryetari Ferati apelon për kujdes maksimal

Zjarret kanë përfshirë disa fshatra të Komunës së Istogut, duke krijuar një situatë alarmante në terren. Kryetari i komunës, Ilir Ferati, ka konfirmuar se vatrat aktive janë regjistruar në fshatrat Kovragë, Veriq, Osojan dhe Gurrakoc, ku janë vënë në rrezik pronat, tokat bujqësore dhe siguria e banorëve.
“Së bashku me ekipet e zjarrfikësve, Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse, jemi në terren dhe po punojmë me të gjitha kapacitetet tona për të lokalizuar dhe shuar vatrat e zjarrit”, ka deklaruar Ferati.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat bujqësore dhe pyjore, duke shmangur ndezjen e barishtave, mbeturinave apo sendeve të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
“Edhe një shkëndijë e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha dhe të pakthyeshme,” paralajmëroi kryetari, duke shtuar se çdo rast i zjarrit duhet të raportohet menjëherë tek zjarrfikësit ose Policia e Kosovës.
Ferati gjithashtu falënderoi zjarrfikësit, Policinë dhe qytetarët që po kontribuojnë me përkushtim dhe mjete në këtë situatë të rëndë.
“Së bashku do t’ia dalim,” u shpreh ai në fund të reagimit të tij.