Zjarret në Finiq dhe Mirditë, vijojnë operacionet nga ajri dhe toka

Flakët vijojnë të djegin sipërfaqe toke në Finiq dhe Mirditë, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të parandaluar përhapjen e tyre.
Në fshatin Livinë të Finiqit, zjarri është vendosur nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat. Operacionet për shuarjen e tij po kryhen nga ajri me helikopterin Black Hawk dhe avionin kroat Canadair, si dhe nga toka me mjetet zjarrfikëse dhe forcat tokësore, të cilat janë pozicionuar përreth zonës për të ndërhyrë në çdo moment.
Ndërkohë, në Mirditë vijon puna për shuarjen e flakëve me ndihmën e mjeteve ajrore dhe forcave tokësore. Avioni Canadair nga Italia ka kryer deri tani 7 hedhje mbi vatrat e zjarrit, duke lëshuar rreth 50 mijë litra ujë në terren. Këto ndërhyrje po kombinohen me punën intensive nga toka për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarreve.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar se çdo neglizhencë mund të shkaktojë përhapjen e flakëve në kushte të motit të nxehtë.