Lajme

Zjarr masiv në Malin e Dukatit rrezikon Parkun Kombëtar të Llogarasë – banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri

Prej pesë ditësh, një zjarr i përmasave të mëdha po shkrumbon sipërfaqe të gjera pyjore në Malin e Dukatit, në zonën e quajtur Sotiran, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat, në Vlorë. Flakët vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, duke shkaktuar shqetësim të thellë tek banorët dhe autoritetet lokale.

Sipas raportimeve nga mediat shqiptare, ekziston një rrezik serioz që zjarri të përfshijë edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë, një nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe turistike të vendit.

Banorët e zonës kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga ajri, pasi përmasat e zjarrit janë tepër të mëdha dhe terreni i vështirë po e bën të pamundur ndërhyrjen efektive nga toka. Flakët kanë djegur dhjetëra hektarë me pisha, bredha dhe bimësi të ndryshme, ndërsa është vënë në rrezik edhe fauna e egër që jeton në këtë zonë pyjore.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një informacion zyrtar për masat konkrete të ndërmarra, ndërsa komuniteti vendor kërkon mobilizim të menjëhershëm për të shmangur një katastrofë ekologjike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button