Zhduken dy të rinj në Sarandë, familjarët humbin kontaktet prej 7 ditësh

Policia e Tiranës ka marrë një denoncim për zhdukjen e dy të rinjve, një vajze dhe një djali, të cilët janë larguar drejt Sarandës për pushime, por prej disa ditësh nuk kanë dhënë asnjë shenjë jete.
Sipas njoftimit zyrtar, një 47-vjeçare me inicialet L. Q. ka kallëzuar zhdukjen e familjarëve të saj, shtetasve R. Q., 22 vjeç dhe E. D., 25 vjeçe. Ajo ka deklaruar se të rinjtë janë nisur më datë 23 prill drejt Sarandës dhe që nga 1 maji nuk ka mundur të kontaktojë më me ta.
Policia bën me dije se janë angazhuar forcat e Tiranës dhe të Sarandës për të ndjekur gjurmët e të rinjve dhe për të mundësuar gjetjen e tyre. Hetimet janë në vijim, ndërsa kërkimet po zhvillohen në disa pista të mundshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion për vendndodhjen e R. Q. dhe E. D., të kontaktojnë menjëherë me organet ligjzbatuese.