Bota

Zgjedhjet në Hungari: Kundërshtari i Orbanit, “optimist” për rezultatin

Vendvotimet për zgjedhjet parlamentare në Hungari janë mbyllur, teksa dalja në votime ishte më e larta ndonjëherë. Gara kryesore zgjedhore ishte mes ndërmjet kryeministrit aktual, Viktor Orban, që është që 16 vjet në pushtet, dhe udhëheqësit opozitar, Peter Magyar.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, Magyar tha për mediat se është “optimist”, por “i kujdesshëm” për rezultatin zgjedhor.

Pas mbylljes së vendvotimeve, janë publikuar disa sondazhe, dy nga të cilat parashohin fitoren e Magyarit, ndërkaq një atë të Orbanit.

Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore 21 me seli në Budapest, që është kryer këtë javë dhe është publikuar pas përmbylljes së votimeve, partia proevropiane Tisza e udhëheqësit opozitar, Peter Magyar, pritet të fitojë 55 për qind të votave, ndërkaq koalicioni Fidesz-KDNP pritet të fitojë 38 për qind.

Ndërkaq, sondazhi i Median, po ashtu i kryer para votimeve, thotë se partia e Magyarit do të fitojë 57.1 për qind, apo 135 ulëse në Parlament, dy më shumë se 133 sa kërkohen për shumicën prej dy të tretave.

Por, një sondazh tjetër, i Alapjogokert, që sugjeroi se Orbani do të fitojë mandatin e gjashtë. Sipas këtij sondazhi, partia Fidesz pritet të fitojë 44.5 për qind të votavem ndërkaq Tisza 42 për qind.

Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 dhe dalja ishte 77.8 për qind, gjysmë ore para përfundimit të procesit. Kjo shifër shënon rekord të ri, pasi dalja më e lartë më herët ishte regjistruar më 2002 kur kishin votuar 70.5 për qind e votuesve.

Rezultatet paraprake pritet të dalin pak pasi të mbyllen vendvotimet, por nëse gara është e ngushtë, fituesi mund të mos shpallet derisa të përfundojë numërimi i të gjitha votave deri të shtunën e ardhshme, sipas Zyrës Kombëtare Zgjedhore.

Zgjedhjet hungareze po vëzhgohen me kujdes nga Kievi dhe Moska, si dhe nga Bashkimi Evropian, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka ofruar mbështetje për Orbanin, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, edhe pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

Të dyja kampet kanë bërë akuza për ndërhyrje të jashtme gjatë fushatës në Hungari, që ka 9.5 milionë banorë.

Në garë po marrin pjesë vetëm pesë parti – më së paku parti pjesëmarrëse në zgjedhje që nga demokratizimi i Hungarisë më 1990 – pasi disa parti janë tërhequr nga gara për të rritur shanset e fitores të partisë Tisza.

Orban, 62 vjeç, po synon mandatin e gjashtë radhazi.

Si anëtar i BE-së, ai ka arritur të bllokojë apo zbusë shumë vendime të BE-së për sanksionet ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022. Po ashtu ka penguar disa vendime për mbështetjen e BE-së për Ukrainën.

Magyar, 45 vjeç, hyri në skenën politike dy vjet më parë, duke fituar mbështetje në mes të stagnimit ekonomik.

Udhëheqësi i partisë Tisza, Peter Magyar, u ka bërë thirrje hungarezëve “që të rimarrin atdheun” për të konfirmuar vendin e Hungarisë në BE si dhe ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët.

Orban në tubimet zgjedhore ka paralajmëruar “që të mos vihet gjithçka në rrezik”, duke bërë thirrje që të “mbrohet ajo çfarë kemi arritur.

Kryeministri hungarez e ka bërë Ukrainën temë kyç të fushatës së tij, duke e paraqitur këtë shtet fqinj, që po lufton kundër pushtimit të nisur nga Rusia, si shtet “armiqësor” ndaj Hungarisë.

Ai po ashtu është zotuar se do të vazhdojë shtypjen ndaj “organizata të rreme të shoqërisë civile, gazetarëve të blerë, gjykatësve dhe politikanëve”.

Sipas organizatës Ambesty Iternational, Hungaria, së bashku me Bullgarinë, janë shtetet më të korruptuara të BE-së./REL

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button