Kosova

Zgjedhjet e shpeshta po e dëmtojnë ekonominë dhe stabilitetin politik në Kosovë

Organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve në Kosovë po shndërrohet në një fenomen që ndikon ndjeshëm në funksionimin e shtetit dhe ekonominë e vendit. Edhe pse zgjedhjet janë thelb i demokracisë, përsëritja e tyre në periudha të shkurtra po krijon pasiguri institucionale dhe financiare.

Çdo proces zgjedhor kërkon shpenzime të mëdha nga buxheti i shtetit — para që mund të përdoreshin për zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi apo investime kapitale. Përveç kostos financiare, zgjedhjet e shpeshta shkaktojnë mungesë stabiliteti politik, pasi qeveritë me mandate të kufizuara nuk arrijnë të zbatojnë politika të qëndrueshme zhvillimore.

Profesori universitar dhe ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Fadil Maloku, ka komentuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, duke theksuar ndikimet e tyre në aspektin shoqëror e politik.

Sipas tij, proceset e shpeshta zgjedhore janë pasojë e mungesës së kompromisit mes partive dhe po e rëndojnë demokracinë ende të brishtë të vendit.

“Gjasat për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme i kam paraparë qysh në fillim të ‘odisejades’ së ngërçit apo siç e kam quajtur ‘shizofreni politike’,” tha Maloku.

Ai shtoi se problemet politike në Kosovë nuk lidhen vetëm me ndërtimin e institucioneve, por edhe me përçarjet e thella mes subjekteve.

“Shkuarja në zgjedhje të reja është pasojë e paaftësisë për kompromise dhe do të mbahet mend më shumë për smirën e inatet tribale sesa për moskonstituimin e institucioneve,” theksoi ai.

Maloku konsideron se ky ngërç politik do të mbetet një rast studimi për ekspertët e shkencave politike, pasi sipas tij, historia e krizave institucionale në Kosovë do të evidentohen në analizat akademike të së ardhmes.

Ai paralajmëron se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë ngjarje të rastësishme, por kërkojnë përgatitje dhe përgjegjësi të madhe.

“Ato janë procese të kushtueshme që kërkojnë planifikim dhe përgjegjësi nga të gjithë pjesëmarrësit,” u shpreh profesori.

Megjithatë, sipas Malokut, edhe mosmbajtja e zgjedhjeve mund të ketë pasoja të rënda ekonomike e institucionale.

“Financimi nga organizatat ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore, shpesh varet nga ekzistimi i një shoqërie demokratike. Polarizimi politik mund të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik të vendit,” paralajmëroi ai.

Profesori thekson se mbajtja e zgjedhjeve nuk është gjithmonë tregues i shëndetit demokratik të një shteti.

“Zgjedhjet nuk janë testi i vetëm i një shoqërie demokratike. Ka raste kur ato janë formalisht të rregullta, por në përmbajtje kontestohen nga rivalët politikë,” shtoi ai.

Në fund, Maloku nënvizoi se për të pasur zgjedhje të vërteta, të lira dhe të drejta, Kosova duhet të plotësojë disa kushte bazë:

Ligj zgjedhor të qartë dhe të harmonizuar me nevojat e qytetarëve;

Komision zgjedhor profesional dhe të pavarur;

Elektorat të vetëdijshëm për të drejtat dhe përgjegjësitë e tij.

“Vetëm në këtë mënyrë, zgjedhjet do të jenë reflektim real i vullnetit të qytetarëve dhe jo pasqyrë e krizave politike,” përfundoi Maloku./Front Online

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button