Zgjedhjet e 11 majit/ Emigrantët votojnë për herë të parë nga jashtë, por procesi shoqërohet me kaos dhe dyshime për manipulim

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, më 11 maj emigrantët shqiptarë do të votojnë nga vendet ku jetojnë, përmes postës. Megjithatë, ky proces i ri ka hasur një sërë problematikash që kanë ngjallur reagime dhe dyshime serioze për mënyrën si po menaxhohet.
Një nga çështjet më shqetësuese ka dalë në pah përmes denoncimit të një qytetari emigrant në Itali, Gëzim Lalo, i cili ka treguar për emisionin “Piranjat” se pasi ka votuar nga Italia dhe ka dërguar zarfin me votën e tij, është kthyer në Shqipëri dhe ka zbuluar se emri i tij figuron edhe në listat e qendrës së votimit.
“Kot për info: Si emigrant në Itali mua më vjen fleta e votimit, votoj e postoj, mbaroj punë. Tani kam dy ditë që kam ardhur në Shqipëri, shoh emrin në listë në qendrën e votimit. Si mendoni ju, a nuk duhet të votoj edhe këtu?”, shkruan Lalo me ironi, duke ngritur pyetjen se si është e mundur që votuesit që kanë votuar me postë ende figurojnë në listat e votimit brenda vendit.
Ai shton më tej: “Jo për gjë, po qelepir punë e madhe se votoj dy herë… Apo ndoshta i kanë lënë emrat thjesht për t’u dukur që ka votues. Booo, çfarë bëhet në Shqipëri!”
Denoncimi i tij shton edhe më shumë dyshimet që kanë shoqëruar këtë proces që në fillim, ku janë regjistruar edhe probleme të tjera si vonesa në shpërndarjen e zarfeve të votimit dhe raste ku zarfi ka mbërritur bosh, pa fletën e votimit brenda.
Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor për emigrantët, ndërsa autoritetet zgjedhore nuk kanë dhënë ende një përgjigje zyrtare për këto shqetësime.