
Në muret e paraburgimit të Lushnjës është afishuar një njoftim që paralajmëron të dënuarit se nëse nuk dorëzojnë kartat e identitetit apo pasaportat e skaduara për rinovim, do të penalizohen me ndalim takimesh me familjarët. Sipas këtij njoftimi, të vetmet sende që do të lejohen janë ushqimet.
Njoftimi ishte afishuar vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore të 11 majit, duke ngjallur reagime të forta, duke ngritur dyshime për presion institucional dhe shkelje të të drejtave themelore të të dënuarve.
Gjithashtu, duke parë edhe rezultatet e votimit në burgjet e Shqipëisë, ku të burgosurit kanë ‘votuar’ me mbi 99% Partinë Socialiste, lind dyshimi i arsyeshëm se këto karta dhe pasaporta biometrike, mund të jenë përdorur nga drejtuesit e burgjeve për të mbushur kutitë e votimeve për mazhorancën.
Në lidhje me këtë skandal, ka reaguar edhe avokati Altin Goxhaj, i cili e ka cilësuar këtë akt si “çnjerëzor dhe të papranueshëm”, duke thënë se ky është një rast i qartë presioni dhe shkeljeje të të drejtave të njeriut. “Të kërcënosh një të burgosur me ndalim takimesh me familjarët e tij për një çështje administrative siç është rinovimi i dokumenteve, është mizore dhe në kundërshtim me çdo normë ligjore dhe etike,” deklaroi Goxhaj.
Ku qëndrojnë shkeljet?
Sipas ekspertëve ligjorë dhe organizatave për të drejtat e njeriut, ky veprim bie ndesh me:
Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila garanton të drejtën për komunikim dhe vizita familjare.
Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që mbron dinjitetin e çdo shtetasi, edhe gjatë vuajtjes së dënimit.
Ligjin për Ekzekutimin e Vendimeve Penale, i cili nuk lejon masa ndëshkuese të tilla administrative pa vendim gjyqësor apo pa parashikim të qartë ligjor.
Në kontekstin e zgjedhjeve, lind dyshimi se kjo fushatë për rinovim dokumentesh mund të ketë lidhje me procesin e votimit në burgje. Shteti ka të drejtë të përditësojë të dhënat e qytetarëve, por kjo duhet bërë me mjete ligjore dhe jo përmes presionit psikologjik.
Organizatat për të drejtat e njeriut kërkojnë hetim të menjëhershëm të rastit dhe ndërhyrje nga Avokati i Popullit dhe Ministria e Drejtësisë.